Interi zhvilloi një finale të madhe përballë Manchester City. Zikaltrit e Simone Inzaghit dhanë gjithçka në Stamboll, luftuan fort dhe guxuan të përballeshin me skuadrën më të fortë në botë për momentin.
Madje krijuan disa raste për gol, por nuk ia dolën të finalizonin dhe trofeu me veshë u nis për herë të parë në histori drejt Manchester City, që iu fal golit të Rodrit për të shkruar emrin në listën e fituesve të turneut më të rëndësishëm për klube.
Lautaro Martinez nuk e fsheh zhgënjimin e madh për humbjen 1-0 në finalen e Champions League. Në prononcimin pas ndeshjes, sulmuesi argjentinas i Interit u ndal edhe te pritja fantastike e Ederson ndaj gjuajtjes me kokë të Romelu Lukakut.
Lexo edhe:
- Muçi: Mu realizua ëndrra, në këto ndeshje do marrin rezultate pozitive
- Neymar flet për transferimin e Messi-t, braziliani jep “bekimin” e tij
- Laçi: Jemi gati të japim maksimumin, na duhet mbështetja e tifozëve ndaj Moldavisë
- Tevez mbron Messin: Zgjodhi Amerikën për të ndihmuar lojtarët e Barçës, tani do jetë i qetë
“Trishtim i madh! Vendosëm në vështirësi skuadrën më të fortë të momentit. Hidhërimi është i madh. Por duhet të ndihemi krenarë për punën që kemi. Jo vetëm në këtë ndeshje, por gjatë gjithë turneut.
I kemi bërë të vuajnë shumë skuadra të mëdha, i treguam botës se Interi ka cilësi. Duhet të jemi krenarë për finalen që zhvilluam, edhe pse kjo humbje na dhemb shumë.
Donim ta merrnim me vete këtë kupë. Sa keq që nuk ia dolëm për fare pak. Ka momente kur topi futet në rrjetë, ka edhe momente kur nuk dëshiron të hyjë brenda.
As vetë Ederson nuk e di se si e priti goditjen me kokë të Lukakut… City luajti me një nivel më të ulët krahasuar me atë që janë mësuar. Kjo për meritat tona. Por nuk shënuam dot, prandaj humbëm”, u shpreh Lautaro Martinez.
