Connect with us

Hi, what are you looking for?

Lajme

Kupat e mbushura me… verë

Kupat e mbushura me… verë
Kupat e mbushura me… verë

Kur Parma stërvitej para ndeshjes kundër Teutës në “Qemal Stafa”, në 1995-ën, shqiptarët të veshur me fanellat e Milanit, Interit apo Juventusit i kërkonin me një italishte brilante një autograf portierit Bucci.

Ky i fundit u habit aq shumë sa u prek, jo vetëm për italishten që ishte më e mirë se e tij, por edhe për vlerësimin që me siguri nuk ia bënin njësoj as në qytezën ku kishte lindur.

Një vit më parë emigrantët tanë në Athinë kishin festuar deri në mëngjes sepse Milani kishte mundur Barcelonën 4-0 në finalen e Champions Leagues, ndërsa në të njëjtën verë të 1994-ës lajmi më i rëndësishëm ishte që në një dasmë dhëndrit i ra infarkt kur Gjermania pësoi golin e dytë kundër Bullgarisë dhe u eliminua nga Kupa e Botës. Dasma bëhej në drekë, ndeshja pasdite.

30 vite më vonë kryeministri i vendit, që nën moton “me kë je jashtë Shqipërisë?!” u ofroi shqiptarëve Kupat e City-t, madje me pompozitetin e Kalit të Trojës, njësoj si Odisea që negocioi orë të tëra për ta pasur atë madhështi mes tyre.

Ata në Manchester kishin sjellë në Tiranë madje edhe një përfaqësues, një biçim tekniku – bast kush ja di emrin – që njësoj si Bucci në 1995-ën habitej teksa shihte gjithë këta burra shteti që përveçse e shikonin sikur të ishte “Porta e BE”, e sajdisnin duke i treguar numrin e golave që në mbrëmje City i tij dhe i yni do të shënonte kundër Realit.

Lexo edhe:

I shkreti vetëm tundte kokën dhe pohonte: Yeah. Kush do ta mendonte që City do kishte tifozë mbi 50 vjeç. Imagjino çdo ishte bërë nëse për shembull në vend te tij do kishte ardhur ish lojtari i Man. United, Nicky Butt. Lojtar i Manchesterit të vërtetë.

Në të njëjtën kohë në Vlorë, Sokol Kushta, një emër i madh për të rinjtë e sotëm që me siguri nuk e njohin, priste pa fund telefonata që e uronin për 60-vjetorin. Në fakt ishte një ngatërresë sepse Kushta ka lindur ne gusht. Dikush në Wikipedia ndoshta ka bërë një shaka.

E të mendosh që Kushta kë bërë gol mes Beogradit dhe i ka dhënë të vetmen Kupë Flamurtarit të Vlorës, ku kryeministri është deputet. Thonë që ajo Kupë ka humbur, siç ka humbur edhe Kupa Ballkanike e 1946-ës, i vetmi trofe që ka fituar në histori Shqipëria.

Gojët e liga thonë që gjendet në kontrabufenë stil “vitet 80”, në një parafabrikat, në apartamentin e të cilit jeton një ish-drejtues i shtetit. Herë pas herë – thonë – që e mbush dhe me verë të kuqe Lundre.

Në të njëjtën natë Pep, që as se ka idenë që kupat e tij prekeshin me endje nga duart shqiptare – humbi ndeshjen e radhës dhe si thonë në bulevardin tonë, e morëm pak më sysh.

Në të njëjtën mbrëmje RTSh Film ritransmetonte filmin “L’America”, një film që ironizon italianët që iknin në vitet ‘20 në ShBA, por e vendosur në një kontekst shqiptar në 1991-shin. Dy shqiptarë të vuajtur në një kamion me një italian që gjendej rastësisht në Tiranë –  pasi i provuan duke i shikuar gjoja syzet e tij të diellit që vezullonin në ato kanotjeret e verdha – e pyetën njeriun e parfumosur: Me kë je tifoz, Milan apo Juve?! Me asnjërën tha i ziu. Ne jemi me Manchester City-n i thanë dy shqiptarët duke u zgërdhirë. Ishte viti 1991.

Lajme të tjera

Angli

Pas fitores ndaj Brighton, trajneri i Manchester City-t, Pep Guardiola është pyetur ndër të tjera për formën e Phil Foden. Tekniku theksoi se Foden...

Bundesliga

Bayern Munich dhe Thomas Tuchel do të ndajnë rrugët me të përfunduar sezoni aktual. Pas shumë refuzimesh si nga Xabi Alonso, Nagelsmann e deri...

Futboll

Stefano Pioli po kalon javët e fundit të eksperiencës së tij te Milani, pasi rrugët mes palëve do të ndahen në fund të këtij...

Kombëtare

Mirlind Daku po kalon një formë të shkëlqyer, teksa ka gjetur për të dytën javë radhazi rrugën e rrjetës. Sulmuesi kuqezi i dha epërsinë...