Connect with us

Hi, what are you looking for?

Kategoria Superiore

Derbi stacioni i fundit, bardheblutë në apel për të treguar se e meritojnë fanellën!

Ditën kur kishte fituar betejën ligjore për pezullimin e ankandit të aksioneve, presidenti i Tiranës pa bardheblutë të eliminoheshin nga Kupa e Shqipërisë. Për momentin vështirë të thuash se cila Tiranë shqetëson më shumë. Ajo e betejës juridike me një borxh që gjithsesi mbetet për t’u shlyer, apo ajo e fushës. Ku Tirana qartazi nuk bind.

Fitorja më e hidhur e sezonit (1-0) ndaj Kukësit nuk ka mjaftuar. Një farë rritjeje në lojë, sidomos në pjesën e parë. Fati i keq me shtyllat, fakti që humbja 2-0 e sfidës së parë ishte e vështirë për t’u përmbysur, të gjitha janë alibi që nuk mjaftojnë.

Tirana është eliminuar nga Kukësi, skuadër e fundit të tabelës në kampionat. Objektivi i vetëm i mbetur është vendi i katërt, seriozisht i kërcënuar. Vetëm pak ditë më pas është derbi, ai me Partizanin, sfida që kjo skuadër nuk ia ka dalë ta fitojë asnjë herë këtë sezon. Duke koleksionuar dy humbje dhe një barazim përballë rivalëve të përjetshëm.

Lexo edhe:

E lehtë të lexosh hidhërimin në sytë e Erbim Fagut, trajnerit që e ka marrë Tiranën ndoshta në momentin më të vështirë të këtyre viteve të fundit. Ndryshim formacioni e skemash, 4 sulmues në fushë në pjesën e dytë… Të gjitha nuk kanë shërbyer, por ndoshta është ende herët për të përdorur shprehjen, “kësaj skuadre nuk ka kush i bën derman”.

Këtë, në fakt e kanë në dorë vetë lojtarët. Sigurisht nuk janë vetëm ata mbajtësit e faturës së një sezoni shumë larg pritshmërive, një faturë që mund të bëhet më me kthjelltësi e përgjegjësi në fund të sezonit. Por është e sigurt se nëse ka një moment ku mund të bëjnë një “mea kulpa” dhe të reagojnë, është pikërisht ky, derbi ndaj Partizanit. Për llogaritë dhe prestigjin, vlen gjithë sezonin.

Historia e viteve të fundit ka treguar se shpesh derbi përcakton dhe ecurinë e ndeshjeve që pasojnë. Vështirë të imagjinosh se si Tirana mund të sigurojë pjesëmarrjen në katërshe më pas ndaj Laçit, Vllaznisë e Egnatias pa një reagim ndaj Partizanit. E diela është stacioni i fundit për Tiranën dhe për futbollistët e saj. Dhe shansi i fundit për të treguar se e meritojnë fanellën bardheblu.

Lajme të tjera

La Liga

Barcelona nuk ka arritur të gjejë ende një shkatërrues, teksa që prej largimit të Busquets, Xavi ka vuajtur jo pak të gjejë futbollistin e...

Serie A

Interi mbylli llogaritë e titullit kampion 5 javë para fundit të sezonit në Serinë A dhe krahas festës, drejtuesit kanë nisur të mendojnë për...

Futboll

Rrufe në qiell të hapur. FC Struga Trim Lum ka njoftuar nëpërmjet një njoftimi të shkurtër ndarjen e bashkëpunimit me trajnerin Shpëtim Duro. Në...

Serie A

Në një prononcim për Radio Serie A, Javier Zanetti, legjenda e Interit dhe njëkohësisht zv. presidenti i klubit zikaltër, ka zbuluar surprizën më të...